Thaçi: Nuk ka kthim mbrapa për Kosovën
Nga Joana Diamanti - Thu Jul 28, 11:30 am
- Lexuar 308 herë
- Tweet
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë seancës së sotme në Kuvend, ka njoftuar për veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës, duke u thënë se policia e Kosovës ka mbajtur një qëndrim heroik.
“Fatkeqësisht dje pasdite një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele ka sulmuar pikën 1 e më pas atë 31. Pika 1 është djegur dhe dëmtuar në masë të madhe, ndërsa pika 31 është mbrojtur nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës. Në pikën 31 janë zhvilluar ballafaqime të ashpra prej KFOR-it dhe Policisë së Kosovës me bandat serbe. Kjo pikë është në kontroll të plotë të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Mund të them se Policia e Kosovës po qëndron heroikisht në këto pika”, ka thënë Thaçi.
Sipas Kosova Press, kryeministri i vendit ka thënë me këtë rast se Kosova po i afrohet përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe misioni i pamundur deri tani për vënien e rendit dhe ligjit në veri, po bëhet i mundur dhe realitet nga institucionet e shtetit të Kosovës.
“Skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim. Institucionet e Kosovës do të shfrytëzojnë të gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit dhe për t’u përballur me të gjithë njerëzit e mosrespektimit të rendit dhe ligjit”, ka theksuar Thaçi para ligjvënësve.
“Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e para katër ditësh. Nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e ‘status quos’, nuk do të ketë rikthim në gjendjen e mëhershme. Qeveria e Kosovës është e konsultuar dhe e koordinuar me të gjithë faktorët që punojnë për rend, ligj, respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, është shprehur Thaçi.
Thaçi ka ftuar qytetarët për qetësi, solidaritet, mirëkuptim dhe besim tek institucionet e Republikës së Kosovës dhe tek KFOR-i, duke garantuar se në veri të Kosovës do të kthehet rendi dhe ligji.
- Lexuar 308 herë
- Tweet

sending...