Greqi, Alket Rizai flet pas arrestimit të dy gardianëve të burgut: “Droga ishte për mua, e di që s’kam bërë trimëri, por i kërcënova me vdekje që të ma sillnin”
Nga Joana Diamanti - Mon Apr 23, 11:24 am
- Lexuar 207 herë
- Tweet
Greqi: Lajmi që dy policë burgu i sillnin drogë në qeli shqiptarit Alket Rizai, mori dhenë.
Por nga ana tjetër, i menjëhershëm ka qenë reagimi i të burgosurit shqiptar, i cili tha se gardianët e burgut ishin të pafajshëm, duke hedhur gjithë përgjegjësinë mbi vete.
Alket Rizai thyhen heshtjen dhe flet nga burgu i Malandrinos për çështjen, ku akuzohet se është “truri” i një organizate kriminele dhe dy punonjësit e burgut ku ndodhet, janë bashkëpunëtorët e tij.
Ngjarja
Dy punonjës të burgut të Malandrinos, ku mbahet i burgosur Alket Rizai, ranë në duart e policisë. Atyre iu gjetën 250 gr heroinë dhe dy aparate celularë. Punonjësit në fjalë, përkatësisht 28 dhe 42 vjeç, ndodheshin në një makinë kur u arrestuan, gjatë kontrollit të policisë.
Ndërkohë, gjatë një interviste për “Espresso”, i burgosuri Rizai nuk e mohoi faktin që ai kishte dhënë urdhër që gardianët e burgut t’i sillnin drogën, por theksoi se ata u detyruan që të ekzekutojnë urdhrat e tij.
“Punonjësin 42-vjeçar e njihja. Ndërsa 28-vjeçarin e kisha rrëmbyer dy herë. Herën e parë, para një muaji e gjysmë ndërsa herën e dytë, para dhjetë ditësh. I kërkova të m’i sillte këto gjëra, ndryshe do ta vrisja jo vetëm atë, por edhe familjen e tij”, tha shqiptari.
Ai shtoi gjithashtu se “katër njerëz të mi e çuan në mal dhe e kërcënuan me kallashnikov. Unë i flisja nëpërmjet një telefonate me video dhe u thashë një moment njerëzve të mi që t’i jepnin dy tri shpulla. Atëherë ai u frikësua shumë. Më vjen keq që e them, pasi nuk është trimëri kjo që bëra”.
Gjithsesi, Alket Rizai nuk pranon që ka bërë tregti droge brenda në burg, duke thënë se heroinën e kërkoi për përdorim vetjak por edhe të miqve të tij të burgosur.
Alket Rizai ka bërë bujë për dy arratisjet nga burgu me helikopter, në bashkëpunim me Paleokostën, i cili vazhdon t’i shmanget drejtësisë duke qenë në arrati. Madje dyshohet se i ndihmuar nga miq të Rizait, është strehuar në Shqipëri. Ndërkohë, dy gardianët e burgut do të përballen me drejtësinë. /albobserver.com/
- Lexuar 207 herë
- Tweet

sending...