Franca, dokumente emigrantëve të paligjshëm. Ja kush përfiton
Nga Joana Diamanti - Thu Jun 28, 6:43 am
- Lexuar 1690 herë
- Tweet
Një lajm i mirë na vjen nga Franca. Qeveria vendosi që të legalizojë një numër emigrantësh të paligjshëm që ndodhen në territorin francez. Ministri i Brendshëm, Manuel Vals lëshoi një qarkore që lejon, sipas rasteve, të pajisen me dokumente emigrantët e paligjshëm që plotësojnë kushtet. Por theksohet se numri i të legalizuarve nuk duhet të jetë më i madh se 30.000 vetë në vit, numër ky që ishte përcaktuar nga qeveria e mëparshme e djathtë.
“Bëhet fjalë për një qarkore që do të përcaktojë kriteret për legalizim. Kjo qarkore është pothuaj gati”, u shpreh ministri në një intervistë për gazetën “Le Monde”, duke theksuar se nuk do të ketë një legalizim masiv.
Ai theksoi se kushtet që duhen plotësuar kanë lidhje me vitet që emigrantët e paligjshëm ndodhen në Francë, marrëdhëniet me punën, lidhjet familjare, studimet e fëmijëve në shkollë, etj.
“Legalizimet duhet të bëhen të bazuara në disa kritere të përcaktuara, që të pranohen si nga ata që ndodhen në këtë situatë, por edhe nga ata që mund të vijnë në Francë nëpërmjet bashkatdhetarëve të tyre”, shpjegoi Vals.
Ai shtoi se këto kritere u përcaktuan me një mënyrë shumë të kufizuar, por që nuk u zbatuan njësoj në gjithë territorin francez gjatë qeverisë së mëparshme.
“Dua që e gjithë kjo të marrë fund. Do të ketë edhe emigrantë të cilët do të duhet të largohen nga vendi, por ata do të trajtohen me dinjitet dhe do të respektohen të drejtat e tyre”, tha ai.
Ministri socialist theksoi se nuk do të bëhen më shumë se 30.000 legalizime në vit, shifër kjo e përcaktuar nga qeveria e Sarkozisë.
“Sot, situata ekonomike dhe sociale në vend nuk lejon që të pranonim më shumë emigrantë. Është detyra ime si ministër për ta vënë në dukje”, tha ai, duke shtuar se politika e ish-kreut të Francës bazohej në idenë se emigranti është përgjegjës për problemet e francezëve.
“Të jesh i majtë, nuk do të thotë se duhet t’i legalizosh gjithë dhe të hysh në një rrugë pa krye. Duhet të zbatojmë një politikë demokratike, sipas vlerave franceze, por duke marrë parasysh situatën ekonomike dhe sociale të vendit, do të përcaktojmë edhe kriteret tona”, përfundoi ministri francez.
Kjo qarkore e re do t’u ofrojë mundësi legalizimi edhe shumë emigrantëve shqiptarë që ndodhen në territorin francez por që nuk kanë mundur dot që të pajisen me leje qëndrimi. /alb-observer.com/
- Lexuar 1690 herë
- Tweet

sending...