21 maj 13

Raporti i OSBE i ashpër! Korrupsioni dhe gjyqësori, pikat më shqetësuese

Nga Joana Diamanti - Thu Sep 20, 10:00 pm

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, ditën e enjte paraqiti para asamblesë së organizatës në Vjenë, një raport tejet kritik për zhvillimet në vendin tonë gjatë 12 muajve të fundit.

Wollfarth informoi ndërkombëtarët se ka një përmirësim të klimës politike gjatë 12 muajt e fundit, gjë që ndihmoi për t’i hapur rrugë realizimit të disa reformave mjaft të rëndësishme për vendin. Por gjithsesi, Wollfarth nuk është i sigurt nëse ky bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës do të funksionojë edhe gjatë vitit 2013, vit kur në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, kritikoi hapur shtetin e së drejtës, duke paraqitur një tablo të zymtë, ku mbizotëron korrupsioni në administratë dhe u ndal në kulturën e pandëshkueshmërisë.

Ambasadori Wollfarth në raportin e tij shkruante se reformat në vend nuk kanë përparuar me hapat e duhur pas herë pas here ka pasur ngecje të procedurave, por sipas tij “dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu sërish si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake”.

Zgjedhjet 2013

Sipas tij, është e rëndësishme të zbatohet Kodi i Ri Zgjedhor. Këto zgjedhje parlamentare do të jenë tejet konkurruese. Ai shprehu besimin se janë pikërisht drejtuesit kryesorë të partive, ata që kanë përgjegjësinë e zgjedhjeve të suksesshme në Shqipëri.

Gjyqësori

“Përparimi në fushën e shtetit të së drejtës ka qenë relativisht i pakët. Shpesh, kanë qenë vetëm paralajmërimet dhe presioni nga aktorët ndërkombëtarë dhe jo veprimet e institucioneve kombëtare, ato që kanë parandaluar bërjen e hapave prapa në këtë sektor. Dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës”, u shpreh Wollfarth. Sipas tij, reformat që do të ndërmarrë vullneti politik, janë mjaft të rëndësishme, për të ndryshuar perceptimin e publikut për pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Korrupsioni

Ky raport ishte me nota mjaft të zymta sa i përket korrupsionit në vendin tonë. Sipas ambasadorit të OSBE-së, në Shqipëri, korrupsioni në vende të ulëta ndëshkohet ligjërisht, në nivele të larta gëzon thuajse imunitet të plotë.

“Akuzat e korrupsionit ndaj ministrave në detyrë, të cilët kanë në dorë kontrata investimesh të rëndësishme, si dhe mosbesimi në procesin e numërimit të votave kanë përforcuar kulturën e pandëshkueshmërisë”, tha ai, duke dhënë si shembull “Gërdecin” dhe rastin e Fatmir Mediut. Por ai përmendi edhe çështjen midis ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti.

“Një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme, në rastet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë, do të ishte një masë pozitive për të kthyer besimin e publikut dhe për të demonstruar vendosmëri politike”, thuhet në raportin e Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë. /alb-observer.com/

Nëse ju pëlqeu bëni
ose Share


Provided by water damage columbus